Kombëtarja, analistët: Ukraina, testi i vërtetë

30/05/2016 00:00

Trajneri De Biasi ka edhe 24 orë për të vendosur katër emrat e Kombëtares që do të çojë në shtëpi. Trajnerë dhe gazetarë komentojnë zgjedhjet e trajnerit në miqësoren me Katarin dhe thonë se ekipi përtej fitores luajti dobët.

Por ata ndahen se kush nga sektorët duhet të preket nga vendimi për listën përfundimtare. Të martën De Biasi përcakton 23 lojtarët që do marrë me vete në Francë. Test për këtë si duket shërbeu edhe përballja me Katarin.

“Rezultati në këto ndeshje është në rang të dytë, në rang të parë është trajneri që duhet të bëjë dallimin mes lojtarëve që janë në konkurrencë për një postë në formacion. Të stabilizojë aspektin e tij të lojës në stabilitetin e mbrojtjes, por edhe atë sulmues. Si ndeshje e parë ia ka arritur qëllimit, pothuajse janë aktivizuar të gjithë lojtarët,” u shpreh Sulejman Starova, ish-trajner i Partizanit.

Analistët sportiv shkojnë edhe më tej duke nxjerrë në pah gabimet që u bënë të dielën ndaj Katarit. “Ajo çfarë shprehëm si në fazën mbrojtëse, ku patëm gabime jo të vogla, po si edhe më së shumti në fazën e ndërtimit të aksioneve la shumë për të dëshiruar”, mendon Fatmir Mneri, analist sportiv.

“Unë mendoj se la për të dëshiruar qarkullimi i topit, skuadra duhet të jetë shumë e ngushtë në fushë”, shprehet analisti sportiv, Bashkim Tufa. Ndërsa, kryeredaktori i “Panorama Sport” vë theksin tek goditjet standarde. “Mendoj se kemi një problem të pazgjidhur me goditjet standarde. Është një problem i kahershëm i Shqipërisë”, u shpreh ai.

Për 4 futbollistë, e marta 31 maj do të mbahet mend gjatë, pasi ata do të mësojnë se nuk do të jenë pjesë e kuqezinjve për Euro 2016. Cili do të largohet? Cili repart do të preket më shumë? Këtu analistët ndahen.

Sulejman Starova: Nuk më pëlqen ta marr unë këtë stres të them se kush duhet të largohet, këtë stres duhet ta marrë përsipër De Biasi.

Fatmir Mneri: Nuk besoj se do të merret një vendim nga ajo që u pa të dielën. Nuk besoj se do të largohen emra të tillë që japin një lloj garancie.

Bashkim Tufa: Mendoj se do të rrezikojë më shumë sulmi dhe mesfusha, pasi ka shumë.

Jetmir Halili: Me 4 sulmues të deklaruar, tingëllon normale, por ne luajmë me një sulmues. Kështu që besoj se do të ketë surpriza në këtë aspekt.

Gjithsesi testi i vërtetë duket se do jetë Ukraina.

Sulejman Starova: Aty do të kemi mundësi të shohim edhe formacionin e mundshëm.

Fatmir Mneri: Do të shohim mendimet edhe vendosjet e De Biasit për të përballuar këtë kampionat.

Bashkim Tufa: Miqësorja me Ukrainën do të jetë e një shkalle më të lartë.

Jetmir Halili: Mendoj se do jetë testi real do shihet niveli dhe gjendja e skuadrës sonë.

Top Channel