Brazil, marshim i LGTB. Kërkohet revokimi i një dekreti presidencial

30/05/2016 00:00

Rrugët e Sao Paulos në Brazil u mbushën plot për paradën e përvitshme të komunitetit LGBT. Tema e sivjetshme ishte “Identiteti gjinor, ligj tani – të gjithë së bashku kundër transfobisë”.

Në këtë mënyrë, pjesëmarrësit iu referuan mocionit të paraqitur nga ligjvënësit të 9 partive për revokimin e dekretit të firmosur në muajin prill nga Presidentja e pezulluar Dilma Roussef, i cili u lejon njerëzve të identifikohen si transeksualë në zyrat e administratës federale.

Marshimi koinçidoi me një valë protestash kundër kreut të përkohshëm të shtetit, Michel Temer, i kritikuar ashpër se po kërcënon avancimin social të arritur gjatë dekadës së fundit, me veprime të tilla siç ishte shkrirja e Ministrisë së Grave, Barazisë racore dhe të të Drejtave të njeriut.

“Ne kemi vetëm një qëllim, që njerëzit të na respektojnë të gjithëve: gra, homoseksualë apo me ngjyrë; sepse në këtë vend respekti nuk ekziston”, tha Tonhao, “Drag Queen”.

Organizatorët presin që ngjarja të kulmojë me pjesëmarrjen e mbi një milion personave, shifër kjo që nuk konfirmohet nga autoritetet lokale.

Top Channel