UEFA, sondazh për “11-shen më të mirë” të të gjithë Europianëve

30/05/2016 00:00

Kur kanë mbetur edhe 11 ditë nga fillimi i kampionatit europian të futbollit “France 2016”, UEFA ka publikuar një tjetër sondazh në faqen e saj zyrtare, ku fton lexuesit të japin preferencat e tyre mbi “11-shen” më të mirë të Europianëve të të gjitha kohërave.

Deri më tani kanë shfaqur interes 3 milionë lexues, që përkthehen në 3 milionë vota, por ka ende kohë për të votuar, ndërsa rezultati përfundimtar do të bëhet i ditur ditën e dielë. Ekipi “legjendë”, apo më saktë lojtarët që do të përfshihen në të, do të “përjetësohen” në një pikturë me spraj në “Place de la Concorde” të Parisit.

Ndër kriteret kyç për 50 lojtarët e listuar nuk bën pjesë specifika e të fituarit të një kompeticioni të tillë, ndaj dhe momentalisht janë 5 lojtarë të përzgjedhur për 11-shen më të mirë, të cilët nuk e kanë varur në qafë medaljen e kampionit të Europës. Ndërkohë, 6 të tjerët që janë edhe fitues të Europianëve, për çudi kanë triumfuar më herët sesa Europiani i vitit 2000.

Momentalisht, formacioni ideal përbëhet nga 3 italianë, dy gjermanë, dy spanjollë, dy francezë, një holandez dhe një portugez. Romantikët mund të vënë re gjithashtu se, Greqia fituese e Euro 2004-s dhe Çekosllovakia fituese e 1976-s mund të mos kenë përfaqësues të tyre në këtë 11-she elitare. Duket si padrejtësi, por vota është në dorën e lexuesve dhe në garë janë vetëm 11 vende.

Top Channel