Mesdheu, varri i emigrantëve. UNHCR: Këtë javë janë mbytur mbi 700 persona

29/05/2016 00:00

Disa anije janë mbytur këtë javë pranë brigjeve libiane e agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se, numri i jetëve të humbura në këto episode fatkeqe mund të jetë plot 700.

“Situata është kaotike, – i tha agjencisë franceze të lajmeve “AFP”, zëdhënësi i “UNHCR”-së, Federico Fossi. – Nuk mund të jemi të sigurtë për numrat, por druhemi se gati 700 vetë janë mbytur këto ditë nga fundosja e 3 anijeve të nisura nga Libia”, sqaroi ai.

Rreth 500 emigrantë u shpallën të humbur pas përmbysjes së peshkarexhës me të cilën udhëtonin mëngjesin e së enjtes. Të mbijetuarit rrëfejnë se, të paktën 40 prej të vdekurve janë fëmijë, përfshirë këtu dhe foshnje të porsalindura.

Ende 100 vetë nuk janë gjetur pas fundosjes së anijes së tyre të mërkurën dhe 45 trupa u nxorën nga një anije e mbytur të premten. Shumë refugjatë të tjerë nuk dihet se ku janë. Disa nga ata që i shpëtuan tmerrit rrëfyen për “UNHCR”-në dhe organizatën “Save the Children” se, pas nisjes ishin gjendur shumë shpejt në mesin e një deti tejet të trazuar, e drama e konsumuar në anijen e tyre përfshin dhe prerjen e kokës së një gruaje nga një kavo e shkëputur.

Ndërkohë rojet bregdetare britanike arritën të shpëtojnë 19 emigrantë në ngushticën e La Manshit, pasi gomonia në të cilën ndodheshin kishte nisur të mbushej me ujë. Në misionin e shpëtimit u përfshi dhe një helikopter. Emigrantët ishin nisur nga porti i Calais (Kale) në Francë me shpresën të mbërrinin Doverin në Angli përmes detit.

Top Channel