Rrufetë bëjnë kërdinë në Europë, një i vdekur e 14 të plagosur

29/05/2016 00:00

Stuhitë që goditën pjesë të ndryshme të kontinentit të vjetër kanë sjellë edhe rrufe, që në Poloni i kushtuan jetën një personi, në Paris plagosën 11 persona, 8 prej të cilëve fëmijë, dhe në Gjermani lënduan rëndë edhe 3 vetë gjatë një ndeshjeje futbolli për fëmijë.

Burri rreth të dyzetave, që vdiq prej tyre në Poloninë jugore, ishte duke zbritur nga një shpat malor, kur mbi të u derdh shkarkesa e tmerrshme elektrike. Një pjesë e të plagosurve në kryeqytetin francez janë në gjendje kritike për jetën.

Episodi fatkeq ndodhi gjatë një feste ditëlindjeje në “Parc Monceau”. Gjashtë nga fëmijët që dergjen në spital kishin kërkuar t’i shpëtonin furisë së motit duke qëndruar poshtë një peme, e rrufeja kishte goditur pikërisht aty.

Një zjarrfikës, Pascal Gremillot, i cili në ato momente e kishte lënë shërbimin, rastisi aty pranë. Gremillot u ka dhënë menjëherë të lënduarve ndihmën e parë e u ka bërë masazh zemre. Zyrtarët thonë se pa këtë ndërhyrje fatlume, gjendja do të kishte qenë shumë më e rëndë.

Tmerrues ishte dhe incidenti i Hoppstaedtenit në Gjermani, ku në fushën e futbollit, po prej rrufeve u lënduan 35 vetë. Arbitri, personi i goditur drejtpërdrejt, u dërgua në spital me helikopter. Dy të rritur të tjerë janë në gjendje të rëndë, ndërsa 30 fëmijë të moshave 9 deri në 11 vjeç i janë nënshtruar kontrollit mjekësor dhe analizave, por situata e tyre nuk paraqitet shqetësuese.

Top Channel