De Biasi: Nuk jam penduar për zgjedhjet e mia

28/05/2016 17:10

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, deklaroi në një konferencë për shtyp nga Bad Waltersdorf i Austrisë se, nuk është penduar për listën paraprake të lojtarëve të thirrur për “Euro 2016”.

“Pas stërvitjes së fundit të datës 31 do të jap listën përfundimtare të të grumbulluarve. Nuk jam i penduar për zgjedhjet e mia, thjesht më vjen keq që duhet të kthej disa të tjerë në shtëpi. Të gjithë djemtë i kam si fëmijët e mi”, tha De Biasi.

Tekniku italian vlerësoi edhe kushtet e stërvitjes në grumbullimin austriak: “Kemi në dispozicion një strukturë fantastike stërvitjeje. Çdo lojtar ka një program individual stërvitjeje dhe po i monitorojmë të gjithë pa përjashtim. Jam i kënaqur nga puna e kryer dhe jelekët me GPS na tregojnë të dhënat fizike të secilit në mënyrë të detajuar”.

Në lidhje me ndeshjen miqësore ndaj Katarit, De Biasi tha: “Është ndeshja e parë pas 2 muajsh e gjysmë. Jemi kuriozë të shohim se çfarë do të ndodhë. Sidoqoftë, do të jetë një test për të nxjerrë disa përfundime dhe të shoh se si përgjigjet ekipi”.

Top Channel