Pjesa e dramaturgut italian Luigi Pirandello “Sonte do të luajmë pa tekst” ka mbledhur për dy fundjava rresht publikun e kryeqytetit në Teatrin Kombëtar.

Në sallën e mbushur plot, aktorë të njohur të skenës si Yllka Mujo, Dritan Boriçi e Adelina Muça kanë aktruar, kënduar e kërcyer për 1 orë e 40 minuta, në pjesën që bazën ka improvizimin dhe përfshirjen e publikut në teatër.

“Kjo është meritë e Pirandello-s, është meritë e një pune të palodhshme, është meritë e gjithë trupës”, shprehet Driada Dervishi, regjisore.

Në një teatër brenda teatrit, ku gjithçka është improvizim, Pirandello sjell  dëshirën për karrierë në kabarenë e viti 1921, dëshirë e cila përfundon në tragjedi nga xhelozia e shfrenuar.

“Është një teatër brenda teatrit, se çfarë ndodh pas kuintave, provat, si punojmë neve, marrëdhëniet aktor-regjisor, ka kabare, ka dramën etj”, thotë regjisorja.

Për herë të parë aktorja Adelina Muça vjen në një rol dramatik.

“Është një rol mjaft i vështirë, pasi përveç dramës që përjeton personazhi, përveç dhunës fizike dhe psikike, personazhi në të njëjtën kohë duhet edhe të këndojë opera dhe për një aktor nuk është edhe kaq e thjesht”, thotë aktorja Adelina Muça.

“Sonte do të luajmë pa tekst” do të vijojë të shfaqet të shtunën dhe të dielën duke mbyllur kështu sezonin artistik në Teatrin Kombëtar.

Top Channel