Lewandowski në Spanjë, konfirmohen bisedimet me Realin

28/05/2016 11:55

Robert Lewandowski mund të jetë në radhët e Realit të Madridit sezonin e ardhshëm. Agjenti i sulmuesit polak ka konfirmuar tashmë se ka nisur bisedimet me drejtuesit e klubit “merengues” dhe se Bajerni i Mynihut është vënë në dijeni në lidhje me këtë çështje.

“Kemi folur me drejtuesit e Realit dhe te Bajerni e dinë këtë. Reali i Madridit është një klub i madh e prestigjioz”, ishte deklarata e agjentit të Lewandowskit.

Ndërkaq, edhe vetë sulmuesi polak, autor i 30 golave në këtë sezon në Bundesligë, ka shprehur dëshirën e tij për të ndryshuar ambient: “Prej 6 vitesh aktivizohem në Bundesligë dhe këtu kam fituar gjithçka. Ndonjëhere është e nevojshme të mendohet për të provuar një eksperiencë të re”.

Lewandowski ka edhe 3 vjet kontratë me Bajernin e Mynihut, por te Reali tashmë është përgatitur plani për futbollistin polak. Sipas asaj që publikohet te “Der Spiegel”, klubi iberik ka bërë gati kontratën e re për të, që do të jetë me afat 6-vjeçar, me një pagë prej 25 milionë eurosh bruto në sezon.

Largimi i mundshëm i Lewandowskit drejt Spanjës, bën që Bajerni të kthejë sërish sytë nga Napoli për të tentuar blerjen e Gonzalo Higuain, që pëlqehet shumë nga Carlo Ancelotti.

Top Channel