Telashet trashen për Johnny Depp

28/05/2016 00:00

Telashet për Johnny Depp sa vijnë e shtohen. Përveç përballjes për çështjen e divorcit me aktoren Amber Heard, aktorit do t’i duhet të përgjigjet para gjykatës edhe akuzës për sulm fizik ndaj saj.

Një gjykatë amerikane i ndaloi Depp të takojë, afrohet apo kontaktojë me çdolloj mjeti atë që ligjërisht është ende bashkëshortja e tij.

Ky vendim mbërriti pas padisë së Heard, e cila u paraqit në gjykatën e Los Anxhelesit me një shenjë në syrin e saj të djathtë. Në dëshminë e dhënë, aktorja thotë se është goditur me celular nga Depp gjatë një argumenti të ashpër.

“Jetoj me frikën se Johnny do të rikthehet papritur dhe të më terrorizojë fizikisht dhe emocionalisht”, shkruhet në dëshminë e aktores.

Më tej, 30-vjeçarja thotë se në momentin që ka ndodhur incidenti aktori, 52 vjeç, ka qenë nën efektin e alkoolit dhe drogës.

“Më goditi me celularë, më kapi prej flokësh, më kapi prej fyti, më goditi në fytyrë dhe më ulëriste gjatë gjithë kohës”, thotë Heard.

Depp dhe Heard u martuan vetëm 15 muaj më parë, ndërsa Heard në kërkesën për divorc sjell si argument “dallimet e papajtueshme” me 52-vjeçarin.

Çifti lidhi kurorë shkurtin e vitit të kaluar, pas interpretimit së bashku në filmin “The Rum Diary”. Në media thuhet se, të dy kishin nisur të frekuentoheshin kur Depp u nda nga partnerja e tij Vanessa Paradise, me të cilën ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.

Shkallët e famës, Depp nisi t’i ngjiste nga fundi i viteve ’80, me performancën në serialin popullor televiziv “21 Jump Street”, e më vonë shkëlqeu me interpretimin e jashtëzakonshëm në filma si “Eduard duargërshëra” apo “Liza në botën e çudirave”.

Heard, nga ana e saj, rolin më të fundit e kishte në filmin “Vajza daneze”, i cili i solli Alicia Vikanderit “Oscar”-in e sivjetshëm të aktores më të mirë joprotagoniste.

FOTO GALERI
1/1
Fotoja e paraqitur nga aktorja si deshmi ne gjykate

Top Channel