Trump, kundër “klimës”: Do të bëjmë një Amerikë të pavarur energjetike

27/05/2016 00:00

Nuk kaloi shumë, pas zyrtarizimit si i nominuari i Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, dhe Donald Trump lëshoi një tjetër deklaratë nga ato që lënë shteg për diskutime.

“Nëse zgjidhem president, – tha miliarderi njujorkez, – do të punoj për ndryshimin e marrëveshjes së klimës”, të vulosur mes shumë vështirësish në Paris. Fjalimin e mbështetur në lajtmotivin e vet “America First”, Trump e mbështeti te plani i tij i energjisë, një sektor ku qeveria – siç tha ai, – nuk duhet të përcaktojë cilët do të jenë fituesit e cilët humbësit.

“Ne do ta shpëtojmë industrinë e qymyrgurit, besomëni, do ta shpëtojmë. Potenciali i jashtëzakonshëm energjetik i Amerikës vazhdon të mbetet i pashfrytëzuar plotësisht. Në Presidencën time, ne do të arrijmë një Amerikë krejtësisht të pavarur sa i takon energjisë. Obama i futi Shtetet e Bashkuara në marrëveshjen e klimës në mënyrë totalisht të njëanshme, pa miratimin e Kongresit. Ujdia i jep burokratëve të huaj të drejtën të kontrollojnë sa mund të përdorim ne nga energjia jonë, e kjo është e papranueshme”, tha “presidenti 50 përqindësh” Trump.

Republikani po shqyrton ndërkohë mundësinë e një debati televiziv me Bernie Sanders në Kaliforni, shfaqje kjo që do të anashkalonte kryesuesen e garës për nominim në kampin demokrat, Hillary Clinton.

Miliarderi dhe socialdemokrati kanë shprehur që të dy interes për një përballje përpara kamerave, edhe pse nuk është traditë që kanditatët presidencialë të marrin pjesë në debate të tilla, pa u zgjedhur të nominuarit e të dy krahëve.

Top Channel