Sidnej mori një pamje magjike me rastin e festivalit të përvitshëm Vivid, si pjesë e të cilit 90 instalacione dritash e ndriçuan qytetin australian, duke projektuar art shumëngjyrësh në të famshmen Harbour Bridge, në Opera House dhe në atraksione të tjera. Festivali nis zyrtarisht mbrëmjen e 27 majit e do të vazhdojë deri në 18 qershor.

“Vivid Sindey” është festivali më i madh i dritave, muzikës dhe ideve në botë. Më shumë se 150 artistë nga 23 vende kanë krijuar instalacionet e dritave dhe projeksione që u shfaqën në më shumë se 8 distrikte të qytetit. Sipas kryeministrit të Uellsit të Ri Jugor, Majk Baird, mijëra njerëz kishin ardhur për të shijuar spektaklin.
 
Për 23 netët e ardhshme, monumentet më të rëndësishme të qytetit do të ndriçojnë në një simfoni ngjyrash dhe lëvizjesh duke joshur turistë nga e gjithë bota. Këtë vit, festivali do t’i dedikohet kulturës indigjene australiane me projeksione që do të shfaqen në velat e të famshmes Opera House. Animimet spektakolare do të ekspozojnë punimet e 6 artistëve të njohur indigjenë.

Me projektimet e tjera 3D që do të shfaqen në fasadat e Muzeut të Arteve Kontemporane dhe Customs House, Vivid promovon Sidnein si një qendër të rëndësishme të industrive krijuese. Festivali organizohet nga Departamenti Shtetëror i Turizmit dhe agjencitë më të mëdha të eventeve. Në vitin 2015, ai tërhoqi 1.7 milionë vizitorë, duke kontribuar me 63 milionë dollarë në ekonominë lokale.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel