Roland Garros, kalojnë më tej Djokovic e Nadal

27/05/2016 00:00

Turneu i Roland Garros vazhdon të jetë nën shenjën e të mëdhenjve të tenisit botëror. Novak Djokovic, Rafael Nadal e Serena Williams u kualifikuan për në raundin tjetër pa hasur aspak vështirësi në ndeshjet e tyre.

Djokovic u kualifikua pasi mposhti belgun Steve Darcis me rezultatin 3-0. Numri 1 i renditjes botërore e pati ndeshjen në kontrollin e tij gjatë gjithë kohës, duke i fituar setet 7-5, 6-3 dhe 6-4 dhe do të ketë si kundërshtar të radhës britanikun Bedene.

Ndërsa Rafael Nadal u kualifikua pasi mposhti argjentinasin Facundo Bagnis 3-0, duke shënuar fitoren e tij të 200 në turnetë Grand Slam. Spanjolli pati një fillim të fjetur të takimit, teksa e pa veten në disavantazhin 0-2 në setin e parë. Por tenisti nga Majorka e mori shpejt veten dhe arriti ta kthejë ndeshjen në favorin e tij, duke fituar takimin në 3 sete, të cilët i mbylli 6-3, 6-0 dhe 6-3, në 1 orë e 44 minuta lojë. Në raundin tjetër, Nadal do të përballet me bashkëkombasin e tij Marcel Granollers.

U kualifikua në raundin e tretë edhe Tsonga, i cili fitoi me përmbysje ndaj Baghdatis me rezultatin 3-2.

Në kampin e femrave, Serena Williams e ktheu në një seancë stërvitore edhe sfidën me brazilianen Pereira. Tenistja amerikane ishte dominuese në këtë ndeshje, në të cilën nuk shpenzoi shumë kohë, duke e fituar atë në 2 sete: 6-2 dhe 6-1. Shembullin e Serenës e ndoqi edhe motra e saj Venus, e cila fitoi ndaj amerikanes Chirico në 2 sete: 6-2 dhe 6-1.

Një vend për në raundin e tretë siguroi edhe Ana Ivanovic, e cila mposhti japonezen Nara me rezultatin 2-0.

Top Channel