Xhaka beson te kualifikimi: Grupi është i fortë, por mund t’ia dalim

27/05/2016 13:40

Taulant Xhaka për herë të parë në jetën e tij do të jetë kundërshtar i vëllait të tij, Grantit, teksa më 11 qershor do të këndojnë përkatësisht himnin e Shqipërisë dhe atë të Zvicrës.

Por, pavarësisht këtij fakti, Taulant Xhaka është i bindur se në zemër ai dhe vëllai i tij do të ndihen njësoj shqiptarë.

“Graniti ka gjak shqiptari dhe unë jam i sigurt se ai do të këndojë brenda tij himin e Shqipërisë”, tha në konferencën për shtyp mesfushori energjik i kombëtares kuqezi.

I bashkuar me skuadrën vetëm të enjten në mëngjes, Taulanti do t’i nënshtrohet një përgatitjeje speciale gjatë këtyre ditëve dhe shpreson të jetë i gatshëm për ndeshjen me Zvicrën.

“Gjendja ime fizike duket e mirë, por mendoj se ende nuk jam në 100% të formës. Por besoj se edhe me ndihmën e stafit do të përmirësohem edhe më shumë dhe në ndeshjen me Zvicrën do të jem gati. Jemi vërtetë në një grup të fortë, por unë kam besim se ne i kemi shumë të mira shanset për të arritur kualifikimin”, u shpreh Xhaka.

Ai ka folur edhe për të ardhmen e tij, duke konfirmuar se do të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës zvicerane të Bazelit, me të cilën ka një kontratë që zgjat edhe për 2 vjet të tjera.

Top Channel