Mourinho prezantohet te Manchester United

27/05/2016 11:50

Pas sigurisë së shfaqur në median britanike, vjen konfirmimi zyrtar: Jose Mouirinho është trajneri i ri i Manchester United. Klubi anglez, nëpërmjet një komunikate për shtyp në faqen e tij të internetit, bëri të ditur nënshkrimin e një kontrate me trajnerin portugez deri në vitin 2019, me opsion për rinovimin e saj deri në vitin 2020.

Jose Mourinho, 53 vjeç, drejton prej 10 vitesh skuadra të nivelit të lartë në futbollin evropian. Që nga viti 2003 ai ka fituar në total 22 trofe, mes të cilave edhe 2 tituj kampionë Evrope me Porton dhe Interin.

Vetë portugezi u shfaq entuziast për këtë kontratë të nënshkruar me Manchester United, drejtimin e të cilit ai e konsideron si një nder të madh.

“Të jesh trajner i Manchester United është një nder i veçantë në botën e futbollit. Bëhet fjalë për një klub të njohur dhe të admiruar në mbarë botën. Ka diçka mistike dhe romantike në këtë skuadër, gjë që nuk e sheh te asnjë nga ekipet e tjera. Gjithnjë kam ndjerë një afërsi me “Old Trafford” dhe gjithnjë kam pasur raporte të mira me tifozët e Manchester United. Mezi po pres që të nis punën këtu dhe të ndjej mbështetjen e zjarrtë të tyre në vitet e ardhshme”, ishin fjalët e para të Mourinho si teknik i “Djajve të Kuq”.

Top Channel