Obama, në Hiroshima: Dy kombe ish-armike po kthehen në aleate

27/05/2016 00:00

Barack Obama mbërriti në Hiroshima, duke u kthyer kështu në të parin president amerikan që viziton qytetin japonez të goditur prej bombës atomike në 1945-n. Ndalesën historike, kreu i Shtëpisë së Bardhë e përshkroi si testament të urave, që mund të ngrihen edhe mbi ndasitë më të dhimbshme.

Nuk do të ketë sërish një apologji për ngjarjen e rrënjosur thellë në ndërgjegjen e botës me 140 mijë jetët e humbura 6 gushtin e 7 dekadave më parë. Dy ditë pas atij që ishte i pari sulm bërthamor në histori, një tjetër bombë u lëshua në Nagasaki, duke vrarë 74 mijë persona të tjerë.

Obama hyri në Muzen Përkujtimor të Paqes në Hiroshima, i shoqëruar nga kryeministri japonez, Shinzo Abe. Të dy ata ndaluan përballë “flakës së përjetshme”. Obama vendosi i pari aty një kurorë me lule, e të njëjtin veprim bëri pas tij dhe Abe. Kujtimi i Hiroshimës, – tha presidenti amerikan, që foli për një botë ku armët bërthamore të mos jenë më të nevojshme, – nuk duhet të venitet.

“Ne jemi këtu për të reflektuar mbi forcën e tmerrshme që u lëshua në një të kaluar jo edhe aq të largët. Jemi këtu për të vajtuar të vdekurit. Fjalët të vetme nuk i japin zë një dhimbjeje të tillë. Por ne kemi përgjegjësinë e përbashkët që ta hedhim shikimin tonë drejt e në syrin e historisë, dhe të pyesim veten çfarë duhet të bëjmë që vuajtje të tilla të mos ketë kurrë më”, tha Obama.

Më herët, përpara personelit të bazës ushtarake të Iwakunit, aleancën me Japoninë, Obama e përshkroi si një ndër më të fuqishmet në botë dhe treguesin e faktit sesi dy ish-kundërshtarë të mëdhenj mund të kthehen në miqtë më të mirë. Në Shtetet e Bashkuara, ende sot shumë besojnë se përdorimi i bombës atomike, ndonëse shkatërrimtar, ishte një veprim i drejtë, pasi e detyroi Japoninë të kapitullonte, duke e çuar Luftën e Dytë Botërore drejt fundit.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel