Tentativat e dëshpëruara, 30 emigrantë të mbytur në Mesdhe. Ishin nisur nga Libia

26/05/2016 00:00

Pothuajse 30 emigrantë mund të kenë vdekur pas përmbysjes së një varke të mbipopulluar në ujërat e detit Mesdhe vetëm pak milje larg brigjeve të Libisë, ndërkohë që 77 të tjerë janë shpëtuar nga njësitë detare të Bashkimit Europian që patrullojnë në det për të penguar lëvizjet e trafikantëve.

Anije nga “task forca” europiane dhe Roja Bregdetare italiane u gjend menjëherë në vendngjarje, rreth 35 milje (65 km) nga brigjet, ku të mbijetuarit ishin në kërkim të ndihmës teksa notonin të kapur pas rrënojave të varkës apo thjesht notonin.

Marina italiane ka shpëtuar 562 emigrantë nga një tjetër varkë e përmbysur gjatë së mërkurës, prej së cilës numri i viktimave raportohet të ketë shkuar në 100.

Sa i përket ngjarjes tragjike të sotme, Roja Bregdetare e Italisë deklaroi fillimisht për 5 të vdekur, por Organizata Ndërkombëtare e Migracionit (IOM) bëri të ditur se besonte që të tjerë viktima mund të kenë mbetur nën varkën e përmbysur.

Plot 6.000 emigrantë, që janë përpjekur të mbërrijnë në Europë përmes rrugëve ilegale, kanë shpëtuar nga varkat e papërshtatshme për lundrim vetëm gjatë kësaj jave. Agjencitë e ndihmave kanë bërë të ditur se rrugëtimi nga Libia drejt Italisë është tashmë itinerari kryesor për emigrantët, që kur Bashkimi Europian arriti një marrëveshje me Turqinë për të frenuar lundrimet përmes detit Egje me destinacion ishujt e Greqisë.

Top Channel