Ikën De Biasi? Kontratë sheikësh tek Al Nasri i Mehës

26/05/2016 20:00

Për shumë nga futbollistët kuqezi, Franca do të jetë një mundësi e mirë për të ndryshuar skuadër, por trajneri De Biasi e arriti këtë më herët.

Ai u shndërrua në një nga kandidaturat kryesore për të marrë drejtimin e Italisë, aq sa sot, Ventura që mori stolin “axurr” pas ikjes se Contes, duket më shumë si një zëvendësim nga halli, pas një refuzimi që mund të ketë marrë Federata Italiane nga De Biasi.

Dhe kjo duket një mundësi reale pasi 59-vjeçarit nga Treviso tashmë edhe me pasaporte shqiptare, vazhdojnë të vijnë oferta nga më të ndryshmet e nga më të majmet.

Së fundmi janë arabët ata që me milionat e tyre kërkojnë t’i prishin mendjen trajnerit të kombëtares shqiptare. Burime të sigurta zbulojnë për Top Channel se është klubi Al Nasr i Emirateve Arabe ai që vazhdon të këmbëngul për italianin.

Madje sipas të njëjtave burime, klubi ku president është ministri i Financave të Emirateve të Bashkuara Arabe është gati t’i paguajë 1.5 milionë euro në sezon De Biasit.

Ky i fundit nuk ka thënë, as po, as jo por fakti që Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka pohuar por as mohuar zërat se ka patur kontakte me Besnik Hasin, tashmë jashtë kontrate, forcon zërat se largimi i De Biasit pas Europianit është tashmë një realitet jo i largët.

Pak kohë më parë, klubi Al Nasr zyrtarizoi dhe Alban Mehën si blerjen më të re për sezonin e ardhshëm. Mesfushori shqiptar i cili sipas thashethemeve nuk grumbullohet më në kombëtare nga De Biasi për shkak të një topi të humbur në minutat e fundit me Serbinë flitet se do të përfitojë 3.5 milionë euro në sezon tek arabët.

Por nëse aty shkon trajner De Biasi mund të thuhet që telashet për Mehën do të vazhdojnë akoma.

Top Channel