Milano gati për finalen, edhe statujat vijnë nga Madridi

26/05/2016 00:00

Në javën që do të vendosë më të fortin e Europës në futbollin e klubeve, Milano po transformohet nga ora në orë si kryeqyteti i Spanjës.

Atletico dhe Real Madrid kanë shitur deri më tani 40 mijë bileta të vëna në dispozicion nga UEFA për finalen e Ligës së Kampionëve por ashtu siç ndodhi në finalen e Lisbonës dy vjet më parë, do të jenë të paktën 20 mijë tifozë pa bileta pranë impiantit.

Kështu kryeqendra e veriut të Apenineve po përgatitet për Champions me një stil unik që prek jo vetëm tapetin e stadiumit, rrethinat e “San Siros”, por edhe qytetin. Do të vijnë nga kryeqyteti spanjoll edhe statujat karakteristike të dy shesheve të Madridit, replika të gjata nga 5 metra ku madridizmi feston sukseset.

Tifozët e Realit do të gjenden në “Fuente De La Cibeles” ndërsa ata të Atleticos nëse triumfon ekipi i Simeones, do të festojnë në një imitim të ngjashëm me tredhëmbëshin e “Fuente de Neptuno” në Madrid.

Këtu statuja dhe shatërvanë janë në qendër të kryeqytetit spanjoll por javët e fundit, 12 artistë kanë punuar pa pushim për t’i riprodhuar në Milano.

Kështu nga Spanja pritet një eksod i vërtetë tifozësh, disa me bileta e disa thjesht për turizëm në finalen e Champions. jo vetëm ngjyrat dhe filozofia ndajnë dy ekipet iberike por edhe zgjedhjet e hoteleve janë totalisht të ndryshme.

Mentalitet kundërshtar por sidoqoftë në fërshëllimën finale të “San Siros”, të shtunën do të shpërthejë festa madrilene.

Top Channel