Etna “rikthehet” në jetë

26/05/2016 00:00

Mali Etna, një prej vullkaneve më të larta në Europë, u aktivizua të mërkurën duke lëshuar llavë të kuqe në qiellin e mbrëmjes. Me një lartësi prej 3330 metrash, Etna është vullkani më aktiv i kontinentit dhe mund të shpërthejë disa herë në vit.

Shpërthimi i së mërkurës ishte i shkurtër por intensiv, me llavën gurgulluese që vazhdoi të mbushte një prej kratereve përgjatë gjithë ditës. Qindra mijëra turistë nga e gjithë bota vërshojnë në ishullin italian të Sicilisë për të parë nga afër spektaklin, por vetëm disa prej tyre kanë fatin të shijojnë aktivitetin vullkanik.

“Jam këtu me një grup amerikanësh dhe anglezësh për të parë nga afër aktivitetin dinamik, gjithnjë në ndryshim të Etnës. Sot llava po del nga krateri qendror dhe është diçka e mrekullueshme”, tha një turist.

Këtë herë aktiviteti vullkanik nuk shkaktoi probleme në aeroportin e afërt të Katanias. Mali Etna besohet se ka pasur shpërthimet më të shumta të dokumentuara në krahasim me çdo vullkan tjetër, që datojnë prej vitit 425 Para Krishtit.

Hera e fundit kur vërshimet e llavës rrezikuan fshatrat e afërta ishte në vitin 1992.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel