Kaliforni, sërish protesta kundër Trumpit. Kinezët e parashikojnë fitues

26/05/2016 00:00

Rreth 100 vetë u grumbulluan për një tubim të zhurmshëm, por përgjithësisht paqësor, në krah të mitingut elektoral të Donald Trumpit në Kaliforni.

Aktivistët mbanin parulla si “Ndaloni nazistin Trump” apo “Trump budallai” dhe, përpara se të largoheshin nga policia, goditën një kukull që i ngjasonte të nominuarit të supozuar republikan.

Tetë persona përfunduan në pranga për akuza jo të rënda, të cilat nisnin nga shitja e bluzave pa leje e mbërrinin te grumbullimi i paligjshëm. Shumë prej demonstruesve shprehnin zemërim ndaj pikëpamjeve të miliarderit mbi emigracionin.

Manjati i pasurive të patundshme ishte i ftuar në “shoë”-n televiziv “Jimmy Kimmel Live”, ku prezantuesi i njohur e pyeti nëse po e shijonte luftën mes Hillary Clintonit dhe Bernie Sandersit.

Përgjigjja e Trumpit nuk mund të ishte delikate. “Më pëlqen shumë, – u shpreh ai, – sepse po bëhet tepër e pakëndshme. Nuk ma merrte mendja se do të shkonte kaq keq”.

E ndërsa gara për Shtëpinë e Bardhë është ende larg fundit, në një fabrikë të Kinës, thuajse të gjithë ndajnë bindjen se triumfi do t’i takojë republikanit Trump.

Fabrika “Jinhua”, që i ka furnizuar bizneset e festave me mijëra maska gome, duke nisur nga ato të Barack Obamës e deri te “Spiderman”-i, tani në vëmendje ka Trumpin dhe kryesuesen e garës për nominim në kampin demokrat, Hillary Clinton.

Për drejtuesit e saj nuk ka dyshime: fituesi i qartë i zgjedhjeve do të jetë miliarderi njujorkez.

Top Channel