Aksidenti i Bianchi, familja ndërmerr veprime ligjore ndaj F1

26/05/2016 00:00

Ka kaluar një vit nga ndarja nga jeta e Zhyl Bianki dhe familjarët e pilotit nuk kanë gjetur ende një përgjigje për aksidentin që pësoi ai në vitin 2014, në Suzuka të Japonisë. Për këtë arsye ata vendosën të ndërmarrin veprime ligjore kundër skuadrës së Marusias dhe drejtuesve të Formulës 1 nëpërmjet firmës ligjore britanike “Stjuarts Lou”.

Familja e Bianchi beson se në Suzuka u bënë gabime ne planifikim, kohën e ndërhyrjes, organizimin dhe administrimin e garës që u zhvillua në kushte të rrezikshme atmosferike, për shkak të tajfunit që pushtoi Japoninë në atë vit.

“Ne kërkojmë drejtësi për Zhyl dhe të zbulojmë të vërtetën për vendimet që çuan edhe në aksidentin e djalit tim-tha babai i pilotit, Philipe. “Janë shumë pyetje për të cilat nuk është dhënë ende një përgjigje dhe e ndjejmë se aksidenti dhe vdekja e Zhyl mund të evitohej nëse nuk do të bëheshin këto gabime”, shtoi ai.

Zhyl Bianki ndërroi jetë në 17 korrik te vitit 2015, 9 muaj pasi pësoi aksidentin në Suzuka. Ai u bë i pari pilot pas Sennës në vitin 1994 që humbet jetën pas një aksidenti të pësuar gjatë garës.

Avokati i familjes Bianki deklaroi se “paneli i FIA-s që hetoi këtë aksident dha një sërë rekomandimesh për të rritur sigurinë në pistat e Formulës 1, por nuk zbuloi gabimet e bëra që sollën edhe vdekjen e Zhyl Bianki”.

Top Channel