Marrëveshja e Eurogrupit për Greqinë u përshëndet nga Donald Tusk. Presidenti i Këshillit Europian i kishte nxitur prej kohësh ministrat e Financave të bllokut të mos e vononin paketën e shpëtimit për vendin e munduar nga kriza me argumentin se, kjo do të ndihmonte dhe stabilitetin ekonomik global.

“Me kënaqësi e them se marrëveshja e Eurogrupit dërgon një mesazh të fortë për stabilitetin e Greqisë, për Eurozonën dhe të gjithë ekonominë globale. Gjej rastin të falenderoj këtu popullin grek, e sidomos kryeministrin Aleksis Tsipras për vendosmërinë e treguar për të arritur fundin e krizës përmes reformimit të vendit. Tragjedia greke nuk do të ketë një rivënie në skenë”, deklaroi Tusk.

Analistët mendojnë se shiringa e fundit financiare nuk u vjen në ndihmë vetëm grekëve; ajo shmang njëkohësisht edhe debatin e ri të daljes së Greqisë nga BE-ja. Ndihma nga Brukseli po e shpëton edhe një herë nga mbytja shtetin helen, e bashkë me të në horizont është shfaqur dhe reduktimi i shumëpritur i borxheve.

Në të njëjtën kohë, pavarësisht ngërçit të refugjatëve, industria e turizmit në vend ka shënuar një bum të ri. Nga kjo pikëpamje, Greqia ashtu si dhe Portugalia e Spanja po përfiton në masë të madhe nga hija e terrorizmit që është duke mbajtur larg pushuesit nga Turqia, Egjipti dhe Tunizia.

Top Channel