Trump dhe Clinton “pushtojnë” Kinën

26/05/2016 00:00

Gara për Shtëpinë e Bardhë është ende larg fundit, por në një fabrikë të Kinës, thuajse të gjithë ndajnë bindjen se triumfi do t’i takojë republikanit Donald Trump. Fabrika Jinhua, që i ka furnizuar bizneset e festave me mijëra maska gome duke nisur nga ato të Barak Obamës e deri tek Njeriu Merimangë, tani në vëmendje ka Trumpin dhe kryesuesen e garës për nominim në kampin demokrat, Hillary Clinton.

Për drejtuesit e saj nuk ka dyshime: fituesi i qartë i zgjedhjeve do të jetë miliarderi nju jorkez.

Jacky Chen, menaxher i përgjithshëm i fabrikës Jinhua, tha: “Për nga niveli i shitjeve janë pak a shumë njësoj, por unë personalisht preferoj Trumpin. Besoj se brenda vitit maskat e tij do të shiten që të gjitha sepse ka filluar të bëhet shumë popullor këtej. Kemi krijuar ca rezerva sepse mendoj që kur qytetarët amerikanë të votojnë për të, atëherë edhe kërkesa ka për t’u shtuar ndjeshëm”.
 
Chen shpjegon se suksesi i një maske të mirë qëndron tek detajet: “Në rastin e Hillaryt u përqendruam shumë tek fytyra e saj, për shembull rrudhat. I kemi vendosur edhe ato më të voglat. Efekti kështu bëhet shumë më realist. Jemi munduar të përfshijmë dhe hollësitë më të vogla”.

Dikur i konsideruar një figurë ekstreme dhe jashtë kornizave të një gare presidenciale, Trumpi tani ka fituar terren e mbështetja për të është rritur ndjeshëm. Përsa i takon Kinës megjithatë, komentet e tij nuk kanë qenë shumë pozitive, siç ishte deklarata e fundit kur tha se vendi komunist ka ndërmarrë një luftë ekonomike kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Top Channel