Francë, pas rafinerive, grevë edhe në centralet bërthamore

26/05/2016 00:00

Punëtorët e impianteve bërthamore në Francë i janë bashkuar grevës së kolegëve të tyre të sektorit energjetik kundër ligjeve të reja mjaft të debatueshme të punësimit.

Aksioni industrial në rritje ka çuar tashmë drejt reduktimit të furnizimit me naftë e përpara se të linin punën, edhe punëtorët e centraleve atomike i kishin tkurrur ndjeshëm operacionet e tyre.

Kryeministri francez Manuel Valls ka lënë të kuptohet se do t’i ndryshojë ligjet në fuqi, edhe pse e la të hapur mundësinë e ndryshimeve dhe përmirësimeve, reformat sipas tij do të shkojnë deri në fund.

“Para së gjithash, bllokadat në pika karburanti, depozita e po qe e nevojshme edhe nëpër porte duhen hequr. 11 depozita janë zhbllokuar deri tani, më e fundit këtë mëngjes dhe ne e bëjmë këtë sepse besojmë që francezët duhet të marrin furnizimet e tyre e nuk kanë përse vuajnë nga kjo situatë. Ata duhet të shkojnë në punë pa iu dashur të presin me orë të tëra përpara një stacioni shërbimi”, deklaroi Valls.

Vetë sindikalistët thonë se me bllokimin e rafinerive nuk po synojnë paralizimin e vendit. “Nuk është ky objektivi ynë. Ne duam që zëri ynë të dëgjohet. Jemi përballë një qeverie që kërkon të kalojë një ligj me dhunë dhe kjo po na krijon përshtypjen se nuk jemi më një demokraci”, tha përfaqësuesi i sindikalistëve, Anthony Le Berre.

Thuajse 40% e pikave të karburantit anembanë Parisit nuk arrijnë të furnizohen me naftë, ndërsa fuqia bërthamore siguron gati 75% të energjisë elektrike të Francës. Reformat e kontestuara, të cilat ua lehtësojnë kompanive si punësimin ashtu edhe pezullimin e stafit, konsiderohen të nevojshme për uljen e papunësisë.

Top Channel