Kuzhina shqiptare, e ndërthurur mes asaj ballkanike dhe mesdhetare, por në përzierje me atë italiane mund të krijojë një kuzhinë unike botërore. Kjo ndërthurje gastronomike dhe difuzion kulturash ka qenë qëllimi i çeljes së edicionit shqiptar “Gourmeando”, një binjakëzim ndërmjet kuzhinave të dy brigjeve.

“Ajo që kemi gjetur të përbashkët është mundësia për të riinterpretuar recetat italiane me produkte gastronomike shqiptare që bëjnë pjesë edhe në kulturën shqiptare dhe që i japin jetë pjatave të jashtëzakonshme”, tha Francesca Marchini, organizatore e “Gourmeando”.

Ky edicion kërkon të paraqesë produkte tipike vendase, përkatësisht italiane dhe shqiptare, në një përballje “showcooking”, ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.

“Nuk ka si ne, ne gatuajmë në shijen ballkanike, pëlqejmë shijen italiane dhe nëse i bashkojmë të dyja do të jetë një nga kuzhinat e reja botërore”, deklaroi Sokol Prenga, shef kuzhine.

“Do të gatuajmë mish qengji që do ta përgatisim me një krem patate me zaferano të prodhuar në Shqipëri. Atë do ta shoqërojmë me një salcë të bërë me prodhime tërësisht shqiptare, me mjaltë të pastër Përmeti, i vendosim edhe pak raki, pak verë të bardhë dhe pak rozmarinë me pak hudhër. Të gjitha këto prodhime bio shqiptare dhe në këtë pjatë këto shkojnë në mënyrë fantastike”, tregoi Alessandro Gianpietro, shef kuzhine.

Synimi i këtij projekti është që të përhapë një kulturë gastronomike të aftë të tregojë pasurinë e një territori në mënyrë të thjeshtë. Vende të tjera shkëmbimi do të jenë Polonia dhe Gjermania.

Top Channel