“Daily Telegraph”: Trump i fshehu 50 milionë $ taksa shtetit amerikan

25/05/2016 00:00

Një investim i maskuar nga borxhi për t’i shpëtuar autoriteteve fiskale amerikane rreth 50 milionë dollarë. Është kjo akuza që britanikja “Daily Telegraph” ka ngritur ndaj kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump.

Akuza bazohet në një dokument të firmosur nga miliarderi në vitin 2007 dhe të zbuluar nga gazeta gjatë një hetimi mbi të, që ka zgjatur tre muaj.

Dokumentat e publikuara në mediat britanike kanë dalë në dritë gjatë një aksioni ligjor të ndërmarrë nga ish-punonjësit e Bayrock Group, shoqëri imobiliare partnere e Trump, që ka kryer aferën me kompaninë islandeze FL Group marrëveshjen që ka përfunduar nën akuzë.

“Nuk mund ende të them nëse Trump ka një përgjegjësi ligjore, por si qytetar amerikan jam i shqetësuar nga ideja që të qeverisem nga një president që mund të ketë qenë kaq neglizhen, apo që ka injoruar qëllimisht ligjin”, ka deklaruar Frederick Oberlander, avokat i një prej ish-punonjësve të Bayrock Group.

Pavarësisht se manjati njujorkez ka vendosur firmën e tij në dy “variantet” e kontratës, si investim dhe si hua, dhe pavarësisht dyshimeve të sinjalizuara nga këshilltarët ligjorë, ekspertë të tjerë të pyetur nga “Telegraph” thonë se ka pak gjasa që IRS-ja, instituti “i tmerrshëm” që mbledh taksat në SHBA, të provojë përgjegjësinë e Trump, duke qenë se operacioni është kryer mes dy kompanive të përfshira në aferë.

Sidoqoftë, publikimi i këtyre dokumentave nga gazeta britanike vjen në një kohë kur miliarderi ka shpeshtuar retorikën e tij ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe kryeministrit të saj, David Cameron.

Top Channel