Etrit Berisha: Kosova? Vendos pas Europianit

25/05/2016 00:00

Portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha, konfirmoi se ende nuk ka marrë një vendim nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e Shqipërisë edhe pas Europianit, pasi gardiani e la të hapur mundësinë për t’u rikthyer tek Kosova, përfaqësuese për të cilën ka luajtur para se të veshte fanellën e Shqipërisë.

“Për mua, ka qenë nder që të përfaqësoj të gjithë shqiptarët. Tani që është bërë kjo ndarje, nuk ndjehem në maksimum, pasi edhe po shkova te Kosova, ose të rri të Shqipëria, për mua do të jetë një lloj zhgënjimi apo nuk do të ndjehem edhe aq mirë. Kjo është një situatë e vështirë për mua. Kam qenë më parë me Kosovën, pastaj me Shqipërinë. Për mua më e mira është që të mund t’i përfaqësoj të dyja. Mendoj që vendimet për këtë do t’i marr, apo do t’i marrim, pas Europianit”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Berishës i duhet të marrë një vendim të rëndësishëm këtë verë edhe në lidhje me skuadrën, pasi zërat për ndryshim ambienti sa vijnë e shtohen, por Europiani duket se e ka lënë në hijë këtë çështje.

“Jam i përqendruar te kombëtarja dhe ajo që dua të bëj në Europian është të kënaqem dhe të shijoj të gjitha ndeshjet. Dua të paraqitem sa më mirë, nuk më shqetësojnë edhe aq shumë gjërat e tjera sa kualifikimi i Shqipërisë. Për të ardhmen do ta mendoj pas Kampionatit Evropian. Është e vërtetë që kam pasur shqetësime me tendinat anësore të gjurit në muajt e fundit. Por tani ndjehem shumë më mirë dhe nuk do të ketë probleme gjatë aktivitetit”

Ndeshja e parë do të jetë përballë Zvicrës dhe miqësia e lojtarëve të kombëtarës sonë me lojtarët me origjinë shqiptare të Zvicrës, sipas Berishës, nuk do të ndikojë aspak.

“Kam pasur kontakte me Shaqirin për sa kohë që ai ishte te Interi, por nuk kemi folur asnjëherë për kombëtaret. Ka shumë lojtarë shqiptarë te Zvicra, por ne do të shohim punën tonë dhe do të përpiqemi në maksimum për të fituar ndeshjen ndaj tyre”, u shpreh portieri.

Në konferencën e shtypit ishte i pranishëm edhe Ledian Memushaj i cili deklaroi se skuadra duhet të përgatitet sa më mirë për Evropianin e Francës por do të jetë De Biasi ai që do të bëjë zgjedhjet përfundimtare.

“Duhet të përgatitemi sa më mirë për të shkuar në formë në Francë. Secili nga ne synon të jetë në 23 lojtarët që shkojnë në Europian, por këto zgjedhje i bën trajneri. Ne vetëm duhet të tregojmë në stërvitje dhe në dy ndeshjet miqësore formën tonë”, u shpreh Memushaj.

Top Channel