UEFA, hetim Skënderbeut. Drejtuesit e klubit, në Gjenevë

25/05/2016 00:00

Shtatë muaj pas sinjalizimit të kompanisë së monitorimit të kuotave dhe parave në basteve sportive, “Federbet”, kampionët e Shqipërisë të Skënderbeut, nuk janë më thjesht të dyshuar, por ndaj tyre është hapur një hetim nga UEFA.

Prej ditës së martë, presidenti i skuadrës korçare, Ardjan Takaj dhe drejtori sportiv i klubit Haris Fakic ndodhen në Gjenevë, ku jo vetëm po diskutohet, por edhe pritet një vendim i Komisionit të Disiplinës së UEFA-s për disa ndeshje të dyshuara si të fiksuara.

Në një komunikatë për shtyp të publikuar në faqen e saj, skuadra korçare konfirmon një gjë të tillë duke shtuar veç ndeshjeve në Europë edhe disa të kampionatit shqiptarë si me Partizanin, Tiranën, Teutën dhe Vllaznisë.

Francesko Branka, Sekretari i Përgjithshëm i Federbet në muajin tetor të vitit të shkuar përmendi ndeshjen e fazës së grupeve të kupës Europa League, mes Sportingut të Libonës dhe Skënderbeut që përfundoi me rezultatin 5-1.

Për atë ndeshje raporti i “Federbet” thotë se në pjesën e dytë kryesisht, ka patur një fluks bastesh se do të shënoheshin shumë gola.

Në të vërtetë, pjesa e parë përfundoi 2-0 në favor të skuadrës Portugeze dhe në pjesën e dytë u shënuan 4 gola të tjerë, 3 për portugezët dhe një Skënderbeu në minutën e fundit.

Një tjetër ndeshje e veçuar, ishte ajo e turit paraeliminator të Champions Leagues, mes skuadrës nga Irlanda e Veriut Krusaders dhe Skënderbeut. Të dyja përballjet mes tyre, sipas Federbet kanë patur lëvizje të çuditshme të koeficientëve dhe shumave të parave që shkonin nga 1 në 3 mln euro.

Megjithatë këto ndeshje të përmendura u konsideruan thjesht si maja e ajsbergut për trukimin e përballjeve në Europë nga kompania “Federbet”, nga ana tjetër gjithçka u duk se kaloi në heshtje.

Por 7 muaj më pas, në një heshtje të çuditshme, drejtuesit më të lartë te klubit korçar ndodhen në Gjenevë për të ndjekur çështjen nga afër dhe marrja e dy avokatëve për t’u mbrojtur për hapin e parë të drejtësisë sportive, atë të komisionit të disiplinës së UEFA-s, por ndoshta edhe më pas në Arbitrazhin Sportiv në Lozanë.

Komisioni i disiplinës së UEFA-s pritej të reagonte të mërkurën, ndërkohë që duket se për momentin do të ketë një shtyrje të përkohshme të zbardhjes së këtij vendimi.

Top Channel