Tornadot “sulmojnë” Amerikën. Stuhi të egra në disa shtete fushore

25/05/2016 00:00

Sirenat e paralajmërimit të tornadove ranë për të katërtën ditë rresht në shtetet e ulëta amerikane, ku trombat e dhunshme të ajrit përmbysën makina e dëmtuan shtëpi.

Një sërë personash mbetën të plagosur në kontenë Ford të Kansasit, e cila nuk është e pamësuar me të tilla fenomene natyrore, e goditur këtë herë nga dy tornado njëkohësisht. Ishte një sistem i jashtëzakonshëm me qendra shumëfishe lëvizjeje, thonë meteorologët.

Sipas CNN-it, stuhia solli 8 apo 9 tornado në mbarë Kansasin, njëra nga të cilat ktheu përmbys një traktor. Raportet në media flasin për episode të ngjashme edhe në Teksas e Kolorado. Ky i fundit u përball edhe me reshje të dendura shiu e breshëri, që arriti përmasat e një topi bejzbolli.

Drejtuesve të automjeteve në Denver iu desh të kalonin nëpër rrugë të mbulura nga uji dhe kokrrat e mëdha të breshërit. Ekspertët parashikojnë që stuhi të forta të përfshijnë gjithashtu Nebraskën, ndërsa zona e Denverit do të jetojë disa momente të qeta deri në rifillimin e reshjeve nga fundi i javës.

Top Channel