SHBA, ankand për monedhat legjendare amerikane

25/05/2016 00:00

Dy monedha legjendare amerikane, njëra prej të cilave më shumë se 200-vjeçare, pritet të mbledhin së bashku 27 milionë dollarë, kur çekiçi i ankandit të bjerë për to në Nju Jork. E para është një dollar i argjendtë i 1804-tës, që me gjasë do të shitet për 10 milionë dollarë, ndërsa tjetra e 1822-shit e llogaritet të shkojë nga 8 deri në 12 milionë dollarë.

“Dollari i argjendtë i vitit 1804 është një prej objekteve të rralla më historike të Amerikës. Që prej shekullit të XIX (19), ose më mirë të themi që prej 1804-s vet, është konsideruar si ‘mbreti i monedhave amerikane’”, tha David Tripp, konsulent i “Sotheby’s”.

I konsideruar një prej 5 monedhave më të famshme në botë, ky dollar në tone blu e të artë paraqet portretin e “Lady Liberty”-së, ndërsa anët i ka të mbushura me yje. Gjendja e ruajtjes së tij është jashtëzakonisht e mirë.

Me interes shihet edhe monedha e 1822-shit, e cila përbën dhe kopjen e vetme në qarkullim. Dy monedha të ngjashme ekzistuese mbahen në Institutin “Smithsonian”, e mundësitë që të nxirren në shitje në një ardhme të afërt janë të pakta.

Top Channel