Tërmeti 5.6 ballësh trondit Kretën, dëme të lehta materiale

25/05/2016 00:00

Një tërmet me magnitudë 5.6 të shkallës “Rihter” u shënua në ishullin e Kretës, pak minuta pas orës 11 të kësaj të mërkurë, sipas orës lokale.

Sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës, epiqendra e tërmetit u shënua në det, 31 km në Juglindje të zonës Sitia, në Jug të ishullit të Kretës. Thellësia e tërmetit llogaritet në 10 km.

Sizmiologët deklaruan se ky ishte tërmeti më i madh dhe se nuk presin goditje tjetër sizmike gjatë orëve në vazhdim.

Prefektura e Kretës njoftoi se, deri tani janë dëmtuar lehtë disa godina të vjetra, por për fat nuk ka dëme në njerëz. Në zonën e Sitias janë dërguar disa ekipe për të verifikuar nga afër situatën.

Me vendim të Prefekturës u vendos ndalimi i mësimit në të gjitha shkollat e zonës, deri në ekspertimin e të gjitha godinave të shkollave për dëme.

Sipas sizmiologëve, zona e “legenit” të Mesdheut në Jug të Kretës është një zonë me aktivitet të madh sizmik. Edhe në të kaluarën, në këtë zonë janë shënuar tërmete deri në 6.5 ballë të shkallës “Rihter”.

Top Channel