Kosovë, Kuvendi miraton ligjin kundër financimit të terrorizmit

25/05/2016 00:00

Me 58 vota pro dhe 7 abstenime, Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të dytë projektligjin për “Parandalimin e pastrimit të parave dhe Luftimin e financimit të terrorizmit”.

Kryetari i Komisionit për Buxhetin dhe Financat, Naser Osmani, i cili arsyetoi këtë projektligj, u bëri thirrje deputetëve për ta votuar atë, përkundër faktit se projektligji nuk ishte në pajtim me ligjet e Bashkimit Europian.

“Në takimet e zhvilluara me ekspertë të zyrës së BE-së është thënë se, përgjithësisht projektligji nuk është në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian. Për shkak të kohës së kufizuar të procedimit të këtij projektligji, për komisionin ka qenë e pamundur të rregullohen të gjitha këto çështje që prekin shumë nene”, tha Naser Osmani, nga LDK, kryetar i Komisionit për Buxhetin dhe Financat.

Osmani i rekomandoi Ministrisë së Financave që, në bashkëpunim me ekspertë të BE-së dhe EULEX-it, të rishikojnë ligjin, në mënyrë që kjo çështje të mos jetë negative në raportin e progresit.

Në këtë seancë u propozua po ashtu të futet në rend dite edhe projektligji për “Regjistrimin e popullsisë”, që ka të bëjë me regjistrimin në 4 komunat e veriut, të cilat nuk morën pjesë në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011.

Kjo u kundërshtua nga deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, e cila tha se regjistrimi i popullsisë duhet të bëhet sipas ligjit të zbatuar në të gjitha komunat e tjera të Kosovës, duke vlerësuar se nxjerrja e një ligji të ri është e panevojshme. Diskutimi për këtë projektligj u shty për seancën e radhës.

Top Channel