Idomeni, vijon evakuimi paqësor i kampit nga emigrantët e refugjatët

25/05/2016 00:00

Drama me shumë akte e refugjatëve në Idomeni po shkon drejt fundit. Evakuimi i kampit të kthyer në sinonim të shpresës e dëshpërimit ka vazhduar paqësisht.

Plot 1.500 trupa policore u dërguan atje për të qetësuar çdo trazirë të mundshme, por zhvendosja e emigrantëve nga kampi i improvizuar në streha shtetërore, deri më tani është kryer pa incidente, edhe pse disa prej tyre kanë refuzuar të largohen.

Të martën, buldozerët nisën nga puna për shkatërrimin e strukturave të përkohshme të qëndrimit, ndërsa emigrantët filluan të largoheshin me autobusë. Sipas përllogaritjeve, rreth 8.000 vetë qëndruan në Idomeni në kushte tepër të vështira sidomos sanitare, duke injoruar thirrjet e mëhershme të qeverisë greke për largim.

Pati një moment që kampin e populluan 12.000 persona, kur vendet ballkanike mbyllën kufijtë e tyre, duke i penguar kështu kalimin në ato që përbëjnë destinacionin përfundimtar të emigrantëve të larguar prej luftrave dhe varfërisë, shtetet e pasura të Europës veriore.

Planet e ekzekutivit grek janë t’i zhvendosin tani këta njerëz në qendra të mbikëqyrura nga shteti, kapaciteti i të cilave nuk i kapërcen 5.000 personat. Mbi 2.000 vetë u lëvizen nga Idomeni një ditë më parë, nga të cilët rreth 1.300 ishin kurdë, 660 sirianë e pjesa tjetër pjesëtarë të minoritetit Yazidi.

Por edhe në kampin e Oreokastros pranë Selanikut, ku u dërguan një pjesë e tyre, kushtet, sipas refugjatëve të ndodhur tashmë atje, nuk janë nga më të mirat.

Top Channel