Tragjedia e “EgyptAir”, ja si i përjetuan të afërmit e viktimave momentet e para

25/05/2016 00:00

Të afërmit e personave, që morën avionin e “EgyptAir” për udhëtimin fatkeq të disa ditëve më parë nga Parisi drejt Kajros, e panë hotelin “Mercure” në kryeqytetin francez të kthehej gjatë atyre momenteve të para në njësi krize.

Televizorët u fikën e në sallën ku ftoheshin familjarët i prisnin psikologë të mësuar me aksidentet ajrore. Nuk ishte hera e parë që ndodhte. Ekziston një rutinë emergjence në raste të tilla, siç ndodhi edhe në 2009-n kur u rrëzua avioni i “Air France”, i nisur nga Rio de Janeiro drejt Parisit.

Në sallonet e “Mercure”-t, televizorët zakonisht qëndrojnë ndezur gjatë të gjithë ditës, por në ato momente stafi u kujdes t’i fikte, që të afërmit të mos shikonin pamjet munduese të gjurmëve në radar, ku avioni zhdukej pa mbërritur brigjet egjiptjane.

Mes 56 pasagjerëve, 30 ishin egjiptjanë e 15 francezë. “I shoqërova vet dy miqtë e mi në aeroport”, rrëfen një i ri i identifikuar vetëm si Francois. “U përshëndetëm, ishin të gëzuar. Do të martoheshin”.

Pensionisti francez 66-vjeçar, Jean-luc Leborgne, duhet të kishte qenë në bordin e fluturimit “MS804”. Avioni do ta çonte në vendin që frekuenton rregullisht prej 25 vitesh e ku vazhdon të shkojë pavarësisht alarmit nga terrorizmi. Për arsye personale e kishte shtyrë udhëtimin me një ditë. Por, pavarësisht asaj çfarë ndodhi, nuk kishte ndërmend t’i ndryshonte planet e tij dhe ditën pasuese ishte në radhë për “check-in”-in.

Top Channel