Të jetosh me prindërit apo më vete?

25/05/2016 00:00

Të jetosh me prindërit, apo i ndarë prej tyre? Kjo është dilema e shoqërisë së ditëve të sotme. Shumë e kanë provuar ndarjen, dikujt i ka pëlqyer e dikujt jo, teksa këta të fundit kanë bërë edhe prapakthehu.

Por, ky nuk është vetëm një problem social “shqiptar”. Një studim i fundit tregon se jetesa bashkë me prindërit po kthehet në modë edhe mes të rinjve amerikanë. Për herë të parë në më shumë se 130 vite, të rinjtë e grupmoshave 18-34 vjeç kanë më shumë gjasa të jenë duke jetuar në shtëpinë e prindërve të tyre, sesa me partneren apo partnerin më vete.

Studimi i kryer nga “Pew Research Center” tregon se 32.1 për qind e të rinjve jetonin me prindërit në vitin 2014; 31.6 për qind jetonin me bashkëshortin/en apo partnerin/en, ndërkohë që vetëm 14% jetonin të vetëm.

Sipas kërkimit më të fundit, ndryshimet demografike pas statusit martesor, si dhe punësimi janë shkaqet kryesore të këtyre rezultateve.

“Kjo kthesë e papritur është ushqyer kryesisht nga rënia dramatike e numrit të të rinjve amerikanë, të cilët zgjedhin të bëjnë një jetë romantike përpara moshës 35-vjeçare”, thuhet në raportin e “Pew”.

Historikisht, mënyra më e zakonshme e jetesës për të rinjtë pas adoleshencës ka qenë së bashku me një partner/e, ndërsa në vitin 1960 shënoheshin plot 2/3-tat e amerikanëve që e bënin një gjë të tillë, duke lënë vetëm 1 në 5 persona të jetonin me të paktën një prind.

Që prej atëherë, mosha mesatare e të angazhuarit në martesë është rritur me shpejtësi, ndërsa disa prej çifteve zgjedhin ta shtyjnë edhe më shumë. Për më tepër, duke qenë se punësimi mes meshkujve të kësaj moshe ka rënë së tepërmi, ndërsa pagat mbeten thuajse në stanjacion, atëherë edhe numri i atyre që zgjedhin të jetojnë me prindërit është rritur së tepërmi.

Top Channel