Pas një raundi maratonë bisedimesh, ministrat e Financave të Eurozonës arritën marrëveshjen që zhbllokon fondet e dorëzanisë për Greqinë e zhytur në vështirësi. Negociatat ishin të vështira, sipas diplomatëve në sallë, e përplasjet nuk munguan. Paketa e re 10.3 miliardë euroshe është pjesë e parave të ndara për Greqinë me qëllimin të shmangte falimentimin.

Bisedimet, që zgjatën 11 orë e vazhduan deri natën vonë, prekën dhe çështjen e lehtësimit të borxhit. Masat për këtë qëllim, siç sqaroi shefi i “Eurogroup”-it, Jeroen Dijsselbloem, do të ndërmerren shumë gradualisht.

Në mbrojtje të lehtësimit kishte dalë Fondi Monetar Ndërkombëtar, me argumentin se pa zbutjen e kushteve të huasë, përpjekjet e institucioneve për rimëkëmbjen e ekonomisë nuk do të jepnin rezultat.

Por disa vende të Eurozonës, përfshirë Gjermaninë, i bënë rezistencë këtij propozimi, marrëveshja mbi të cilin do ta mbajë FMN-në në programin e dorëzanisë greke. Athina dhe kreditorët e saj diskutojnë prej muajsh reformat dhe shkurtimet buxhetore, me qëllim vulosjen e një ujdie mbi paketën e radhës, që do të lëvrohej për Greqinë në kuadër të dorëzanisë 86 miliardë euroshe.

Në muajin korrik, shteti helen duhet t’i shlyejë 3.5 miliardë euro hua Bankes Qendrore Europiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë që nga ana tjetër i nevojiten parà për shpenzimet e përditshme qeveritare dhe pagat e sektorit publik.

Top Channel