Zidane: Simeone, i kompletuar. Unë duhet të mësoj shumë

24/05/2016 00:00

Zinedine Zidane foli në “Ditën e Hapur të Medias” së Realit të Madridit para finales së Ligës së Kampioneve ditën e shtunë, ndeshje që “Los Blancos” do e luajnë përballë Atletico Madrid, në “San Siro” të Milanos.

Trajneri i Realit hoqi presionin nga ekipi i tij duke thënë se humbja e finales nuk do të ishte dështim. Sipas tij, dështim do të ishte nëse ekipi nuk jep maksimumin. “E rëndësishme është që ta përgatisim mirë, por në një finale mund të ndodhë gjithçka. Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi nuk luajmë ndaj një ekipi që di vetëm të mbrojë, por bëhet fjalë për një kundërshtar të kompletuar, që di të luajë me topin”.

Kur u pyet në lidhje në lidhje me Diego Pablo Simeonen, Zidane pati vetëm lëvdata: “Bën një punë të mirë. Është një nga trajnerët më të mirë në botë. E njeh shumë mirë futbollin dhe skuadrën e tij. Ka gjithçka që duhet të ketë një trajner, ndërsa unë kam shumë për të mësuar. Do të përmirësohem, jam i bindur për këtë. E përsëris, kam shumë rrugë përpara dhe nuk mendoj se jam trajner i rëndësishëm”.

Top Channel