Besart Berisha, gol pa vlerë në Championsin aziatik

24/05/2016 00:00

Sulmuesi kosovar, Besart Berisha, konfirmoi formën e mirë që po kalon me skuadrën e Melbourne Victory edhe jashtë Australisë, me një tjetër gol në Ligën e Kampioneve aziatike.

Bomberi nga Prishtina ka arritur të shënojë gol edhe në ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës koreane, Jeonbuk Motors, por nuk evitoi dot eliminimin e formacionit mik.

Melbourne Victory u mposht dhe u eliminua nga kjo garë pas humbjes 2-1 në përballjen e zhvilluar ndaj koreanëve. Berisha arriti të shënojë gol të bukur në fundin e ndeshjes me një instinkt që ka veçuar kosovarin në shumë ndeshje të këtij sezoni.

Formacioni i Melbourne Victory i drejtuar nga trajneri Mevin Muskat, dështoi kështu për të kaluar në 8 më të mirët e Ligës së Kampionëve të Azisë me humbjen e përgjithshme 3-2 ndaj Jeonbuk.

Top Channel