Gugash Magani rikthehet në Vlorë

24/05/2016 00:00

Mbyllja e sezonit të dështuar te Flamurtari korrespondoi me një vendim drastik të drejtuesve për të shkrirë ekipin e futbollit vlonjat pas rezultateve negative e sidomos, disfatës në betejën që vendoste titullin e Skënderbeut.

Por imazhi i ri i ekipit bregdetar do të nisë të ndërtohet nga e para këtë sezon, me zyrtarizimin në pankinë të Gugash Maganit.

Ish-mbrojtësi i njohur i Shkumbinit ashtu siç ishte paralajmëruar, ka gjetur gjuhën e përbashkët me presidentin e Flamurtarit, Sinan Idrizi, dhe do të nisë punën pas disa javësh për të ndërtuar një ekip pretendent.

Magani, që ka arritur rezultate të mira me Tiranën dhe së fundmi me Teutën që e kualifikoi në Europa League, ka detyrën e vështirë të riformatojë vlonjatët me moral të dobët por financa të shëndosha.
 
Stafit teknik të sezonit të kaluar me në krye trajnerin Ramadani, nuk iu rinovua kontrata ashtu si shumë prej futbollistëve.

Tashmë në qytetin bregdetar, rikthehet trajner Magani. Shanset për të mbetur te Flamurtari duket se janë më të shumë për portierin Lika, sulmuesin Alvesh dhe uruguajanin Nikolini.

Vlonjatët arritën të sigurojnë matematikisht mbijetesën vetëm në javën e fundit të Kategorisë Superiore, pavarësisht premtimit ndaj tifozëve për një sezon emocionues që do t’i çonte në kupat e Europës.

Top Channel