Rusi, 14 atletë dalin pozitivë në antidoping. 1 ari dhe 3 argjendi drejt “pronarëve” të rinj

24/05/2016 00:00

Televizioni shtetëror rus, “Match TV” ka bërë publik faktin se 14 prej atletëve më të shquar të vendit, që prej Olimpikeve të vitit 2008, kanë dështuar në ritestimin e provave të tyre të gjakut e urinës në testet antidoping, përfshi edhe kampionen e kërcimit së larti të Olimpiadës së 2012-s, Anna Chicherova.

Sipas këtij televizioni, 11 prej këtyre 14 atletëve janë pjesë e garave të pistës, mes të cilëve medalistja e artë e stafetës 4 x 100 metra, Yulia Chermoshanskaya, ndërkohë që dy janë peshëngritës dhe i fundit është rremtar.

Nëse Chermoshanskaya do të skualifikohet, atëherë medalja e artë në stafetën 4 x 100 metra do t’i kalojë Belgjikës. Ndërsa janë plot 3 medalje të argjendta dhe 5 medalje bronzi që do të gjejnë “pronarë” të rinj, nëse këtyre 14 atletëve do t’u hiqen rezultatet e arritura.

Chicherova, e cila mori medalje bronzi në Pekin gjatë vitit 2008 dhe medalje të artë në Olimpiket e Londrës, është cituar të ketë thënë për “Match TV” se ndodhet në një situatë “po aq shokuese sa kushdo tjetër”, që kur mori vesh lajmin zyrtar të pozitivitetit të testit të saj”.

Top Channel