Indonezi, rizgjimi i vullkanit

24/05/2016 00:00

Një shtresë e trashë hiri ka mbuluar disa fshatra të Indonezisë pas shpërthimit të vullkanit Sinabung në ishullin e Sumatrës.

Ekipet e shpëtimit ende po kërkojnë për të mbijetuar pasi re gjigante hiri të nxehtë e gazi konsumuan të dielën tokat përreth malit e morën 7 jetë njerëzish.

Hiri ka mbërritur deri në 12 kilometra largësi. Edhe pse situata tani duket e qetësuar në krahasim me dy ditë më parë, banorët sërish këshillohen nga autoritetet t’i qëndrojnë të paktën 3 kilometra larg vullkanit që shihet si një ndër më aktivët në vend.

Sinabungu kishte qëndruar i fjetur për 400 vjet përpara se të shpërthente sërish në 2010-n. Më shumë se një duzinë njerëzish u vranë nga një shpërthim mjaft i egër i tij në 2014-n, dhe pikërisht në atë vit, banorëve iu dha urdhri i evakuimit e u paralajmëruan t’i qëndronin larg zonës së rrezikut.

Një pjesë megjithatë e shpërfillën kërcënimin e natyrës e zgjodhën të ktheheshin në fermat e veta. Indonezia e ndodhur në të ashtuquajturën “unaza e zjarrit në Paqësor”, ka më shumë se 120 vullkane aktive.

Top Channel