Azi, dezertojnë punëtorët koreano-veriorë jashtë shtetit

24/03/2016 10:10

Një grup shtetasish koreano-veriorë që punojnë në një restorant të financuar nga shteti i tyre jashtë vendit, kanë zgjedhur të dezertojnë.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Unifikimit në Korenë e Jugut, sipas të cilës punonjësit kanë vendosur të shkëputen, por kanë refuzuar të bëjnë komente.

Sipas agjencisë së lajmeve “Yonhap”, personat në fjalë aktualisht ndodhen në kinë, por punonin në një restorant që me financimin e qeverisë së Penianit kishin hapur në një vend tjetër në jug-lindje të Azisë.

Ky i bie të jetë dezertimi i dytë i këtij lloji. Në prill, një grup prej 13 punëtorësh koreano-veriorë dezertuan në Korenë e Jugut nga një restorant që menaxhonin në lokalitetin Ningbo, në Kinë.

Peniani zyrtar akuzon Seulin se i ka rrëmbyer, por ky i fundit e mohon një gjë të tillë. Qeveria e Koresë së Veriut menaxhon rreth 130 restorante të hapura në vende të tjera, që përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për vendin e izoluar komunist.

Stafi zgjidhet zakonisht pasi i është testuar besnikëria ndaj regjimit, por dezertimet e vazhdueshme janë tregues për një shkërmoqje të pushtetit të Kim Jong un.

Sipas analistëve, koreano-veriorët që zgjidhen për të tilla punë tërhiqen nga liria që gjejnë në vendet e tjera dhe kushtet më të mira sociale. Ndërkohë, dezertimeve nuk u kanë shpëtuar edhe ushtarakë, ndonëse në numër më të ulët.

Top Channel