Meksikë, zhvarrosen 116 trupa nga një varr masiv

24/03/2016 09:35

Autoritetet meksikane kanë nisur zhvarrosjen e 116 trupave të groposur në një varr masiv në shtetin qendror të Morelos. Vari, i ndodhur në një zonë rurale, u zbulua nëntorin e kaluar në qytetin Tetelcingo.

Prokurorët deklarojnë se trupat mund të jenë hedhur ilegalisht nga autoritetet e morgut, por hetimet për identifikimin e përgjegjësve janë në zhvillim.

Morelos është ndër shtetet më të prekura nga dhuna e lidhur me drogën në Meksikë. Rreth 20 mijë persona janë zhdukur në mbarë vendin për shkak të kësaj dhune, vlerëson OKB, ndërkohë që organizata të tjera deklarojnë se shifra është shumë më e lartë.

Hetuesit në Tetelcingo kanë nisur punimet nën një tendë të madhe të ngritur pranë vendit të ngjarjes, ku janë mbledhur edhe shumë familjarë të personave të zhdukur, si dhe përfaqësues të Komitetit Kombëtar për të Drejtat e Njeriut, për të ndjekur procesin.

Kampione gjenetike do të merren nga çdo mbetje trupore në përpjekje për identifikimin e tyre, përpara se ato të rivarrosen në mënyrë ligjore. Zhvarrosja pritet të zgjasë të paktën 5 ditë.

Prokurori i shtetit, Javier Perez Duron deklaroi se varri masiv është i thellë të paktën 10 metra. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të numërohen të gjithë trupat dhe t’u japim atyre një varrim dinjitoz”, deklaroi Duron.

Top Channel