Brazil, përgjimet detyrojnë ministrin të tërhiqet

24/03/2016 09:10

Një aleat i ngushtë i presidentit në detyrë të Brazilit Michel Temer ka vendosur të tërhiqet për shkak të një skandali politik që ka dalë në dritë.

Ministri Romero Juca, në një përgjim zanor, flet për një plan për të penguar hetimin më të madh për korrupsion që është bërë ndonjëherë në vend.

Në përgjimin e transkriptuar nga një gazetë, ai shfaqet duke folur për ndalimin e hetimit ndaj gjigandit të naftës Petrobras, ku është përfshirë edhe presidentja tashmë e pezulluar, Dilma Rousseff.

Nga ana e tij, zoti Juca thotë se, komentet e tij janë nxjerrë jashtë kontekstit. Ndërsa Rousseff thotë se përgjimet provojnë se procesi hetimor është një “grusht politik” që synon mbrojtjen e figurave të vjetra politike të përfshira në skandalin e Petrobras.

Rousseff akuzohet se ka manipuluar shifrat e buxhetit në prag të rizgjedhjes, në vitin 2014, dhe pritet të gjykohet në Senat në muajt e ardhshëm.

Në bisedën e publikuar nga gazeta “Folha de Sao Paulo”, ministri Juca thotë se, “nxjerrja para gjyqit ishte e nevojshme për të bllokuar hemoragjinë dhe për të krijuar një pakt politik për të ndaluar gjithçka dhe për t’i kufizuar gjërat”.

Për shumë analistë, konteksti i bisedës ka të bëjë me krizën politike që ka pllakosur Brazilin dhe duket se ministri flet për pengimin e vazhdimit të hetimeve të gjigandit brazilian të naftës, Petrobras.

Top Channel