Rrëzimi i avionit, faktet e hetuesve përplasen me ato të medias

24/05/2016 00:00

Katastrofa e papritur ajrore “EgyptAir” nuk ka ngelur asgjë më shumë sesa një enigmë , ku detajet e reja që dalin turbullojnë akoma edhe më shumë skenarin e rrëzimit te tij.

Një televizion francez hodhi dritë mbi faktin se njëri prej pilotëve kishte komunikuar me kullën e trafikut ajror pak minuta përpara rrëzimit të avionit duke kërkuar ndihmë për shkak se tymi kishte përfshirë kabinën e tyre.

Por këto detaje të reja që publikohen nga media, bien ndesh me pretendimin zyrtar se nuk ka patur asnjë alarm të kuq nga fluturimi MS804.

Televizioni francez i shkon më tej duke thënë që komunikimi i pilotit me kullën ajrore të Kajros zgjati disa minuta dhe në fund , drejtuesi i avionit kishte vendosur të bënte manovra emergjente, në përpjekje për të sfumuar tymin që kishte përfshirë thuajse gjysmën e pjesës së përparme të avionit.

Kontradiktat thellohen akoma edhe më tepër kur një zëdhënës i kompanisë ajrore kishte pohuar një telefonatë ankthi nga Airbus, por ky lajm është hedhur menjëherë poshtë nga ushtria egjiptiane dhe më pas është tërhequr papritur edhe nga linja ajrore “EgyptAir”.

Rrëzimi i Airbus A320 në Mesdheun Lindor, ka lënë pas vetëm copa të shkatërruara të avionit dhe sende personale të viktimave. Egjipti është duke udhëhequr një përpjekje të mbështetur nga shumë vende të botës për të kërkuar kutinë e zezë, e cila do të japë edhe verdiktin përfundimtar të kësaj fatkeqësie ajrore.

Top Channel