Samiti humanitar në Stamboll, sfidë refugjatët

23/05/2016 00:00

Liderë nga shumë vende të botës janë mbledhur në samitin humanitar dyditor, i pari i këtij lloji i cili po zhvillohet në Stamboll të Turqisë. 

Prishja e sistemit, që ka lënë miliona njerëz në nevojë për ndihmë është edhe tema qëndrore e tij, kushtuar më së shumti çështjes alarmante të refugjatëve.

Konferenca, e organizuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki-Moon, ka mbledhur  më shumë se 150 krerë shtetesh  dhe 6.000 delegatë.

Megjithatë, pjesë e tij nuk janë shtyllat qendrore të jetës politike botërore si presidenti amerikan, Barack Obama, kryeministri britanik, David Cameron, presidentit rus, Vladimir Putin apo presidenti francez Francois Hollande.

Ban Ki Moon, në fjalën e tij deklaroi se duhet vullneti politik që gjërat të ndryshojnë.  Rreth 125 milionë njerëz në mbarë botën kërkojnë ndihmë humanitare, duke përfshirë rreth 60 milionë të cilët janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Në samitin dyditor do të ketë seanca plenare, tavolina të rrumbullakta diskutimesh, sesione interaktive, ndërsa liderët do të bëjnë publike edhe angazhimet për miliona të prekur nga fatkeqësitë dhe konfliktet.

Megjithatë organizatat humanitare janë shprehur kundra samitit, për arsyen e thjeshtë se sipas tyre, në fund të tij nuk do të miratohet asnjë fond, që do të shërbente  si mekanizmi  që gjërat do të lëvizin.

Mjekët pa kufij nuk pranuan të merrnin pjesë në takim. Por edhe pse ky samit nuk ka në dorë miratimin e fondeve, delegatët propozuan një kompromis mes të donatorëve dhe ofrueseve  e shërbimeve për të kapërcyer hendekun aktual në financimin e çështjeve humanitare.

Top Channel