Izmir Ismailaj, rekord kombëtar në kërcim së gjati

23/05/2016 00:00

Atletika vijon të mbijetojë në vendin tonë dhe i fundit që ka lënë gjurmë në arenën e atletikës është 23-vjeçari shkodran, Izmir Ismailaj, që në Mitingun Ndërkombëtar të zhvilluar në Elbasan theu rekordin kombëtar të kërcimit së gjati.

Shkodrani i vendosi thembrat në rërën e butë në distancën 8.03m, duke e thyer dy herë brenda garës rekordin e tij personal (7.76) dhe mundësitë ishin edhe për më shumë.

Ismailaj rikthehet në pistën e atletikës pas një ndërprerjeje relativisht të gjatë, për shkak të një dëmtimi. “Ky ishte rezultati më i mirë që sportistët shqiptarë arritën në turneun ndërkombëtar të zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena’”, u shpreh presidenti i Federatës së Atletikës, Gjergj Ruli, i cili gjithashtu është një prej rekrodmenëve shqiptarë të atletikës.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe zv/presidenti i Federatës Evropiane të Atletikës, Dobromir Karamarinov. Bullgari, i cili është gjthashtu edhe President i Federatës Ballkanike të Atletikës, është nderuar me çmimin “Qytetar Nderi” i Elbasanit, nga kreu i Bashkisë, Qazim Sejdini.

Top Channel