Jashtë kombëtares, Salihi: E prisja, por shpresoja. Mund të largohem përfundimisht

23/05/2016 00:00

Mungesa e “Këpucës së artë” të Superiores, Hamdi Salihi, në listën e lojtarëve të grumbulluar për në fazën përgatitore të Austrisë, por edhe për finalet e Europianit, i ka bërë të gjithëve habi përveç vet Salihit, për shkak të marrëdhënieve të ftohura me trajnerin.

“E kisha parandierë një gjë të tillë se mund të ndodhte, edhe pse shpresoja deri në ditën e fundit, duke ditur që kam bërë gjithçka mirë me kombëtaren nga fillimi e deri më sot”, shprehet Salihi.

Optimizmi i goleadorit të Skënderbeut vjen edhe nga këshillimi i fundit që ka marrë nga trajneri i përfaqësueses në merkaton e verës së shkuar.

“Nuk ka lidhje niveli i kampionatit shqiptar me mungesën time. Unë kam mbi 10 vite që luaj jashtë dhe nuk u bëra lojtar sot që luaj në Superiore. Madje në merkaton e verës së shkuar pata shumë oferta të ikja jashtë, por u konsultova me De Biasin, i cili më tha të qëndroja te Skënderbeu, sepse do të luaja në Europë e mund të bëja gjëra të mira”, tha më tej sulmuesi shkodran.

Aktualisht Salihi është në moshën 32-vjeçare dhe do ta vazhdojë ende karrierën e tij, edhe pse duket se ajo me Skënderbeun mund të jetë eksperienca e fundit në Shqipëri për arsye familjare.

“Mua në kombëtare nuk më ka çuar as De Biasi dhe as njerëzit që nuk më grumbulluan së fundi, por më kanë çuar këmbët e mia dhe do të ishte mirë që të ishin këmbët e mia, që të flisnin të fundit nëse është momenti i duhur për t’u tërhequr apo jo. Por kështu si kanë ardhur gjërat kohët e fundit, do ta mendoj edhe këtë gjë”, tha Hamdi Salihi.

Por, deri sa të vijë një vendim i tillë përfundimtar për karrierën dhe me përfaqësuesen…

“Si çdo shqiptar tjetër, edhe unë do ta shoh Europianin nga televizori duke bërë tifozllik. S’kam çfarë të bëj tjetër”.

Top Channel