Presidencialet në Austri, vota postare do të ndajë fatin e zgjedhjeve

23/05/2016 00:00

Do të jenë votat me postë, ato që do të vendosin fatin e zgjedhjeve presidenciale në Austri. Rezultatet e para, pas mbylljes së qendrave të votimit të dielën, tregojnë se kandidatët janë shumë afër njëri-tjetrit.

Norbert Hofer i Partisë së Lirisë ka një epërsi shumë të lehtë ndaj rivalit të tij, Alexander Van der Bellen. Nëse do të zgjidhet ai vërtet, atëherë Hofer do të bëhet i pari kryetar shteti nga ekstremi i djathtë i një vendi të Bashkimit Europian.

“Gjatë të gjithë jetës sime kam mësuar se, njeriu duhet të ecë pa u lodhur në rrugën e tij dhe, kur vlerat bazike janë ato të duhurat, kur çdo gjë e ke të qartë pavarësisht asaj që bën, pavarësisht rezultatit që do të kesh dhe shqetësimi më i madh mbetet Austria, atëherë suksesi do të të vijë vet”, tha Norbert Hofer, kandidat presidencial në Austri.

Një rezultat kaq të ngushtë në fakt mes populistit të djathtë dhe liberalit të majtë nuk e priste askush. Mbrëmja e së hënës duket se do të sjellë edhe rezultatin përfundimtar. Hofer i ka varur shpresat pikërisht te votimet e bëra me letër, që numërohen gjatë ditës së sotme.

Sipas ekspertëve, ato mund të bëjnë dallimin me deri në 32 mijë vota. Hofer, që preferon më shumë ta përshkruajë veten si politikan i qendrës së djathtë, e që në të kaluarën ka hedhur shpeshherë deklarata armiqësore ndaj të huajve, e skeptike kundër BE-së, thotë se do t’i japë impuls të ri postit të Presidentit dhe dëshiron të jetë një lloj “mbikëqyrësi demokratik për Austrinë”.

Top Channel