Qeveria greke duket se kësaj here ka vendosur të operojë duke kryer evakuimin e shumëpërfolur të kampit provizor të Idomenit në kufijtë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ku ndodhen ende rreth 9.000 refugjatë.

Vetëm në 24 orët e fundit janë larguar me dëshirën e tyre nga ky kamp mbi 400 vetë, ndërsa edhe sot pritet të largohen deri në fund të ditës mbi 300 të tjerë.

Të pyetur nga mediet e huaja, disa prej refugjatëve të këtij kampi kanë deklaruar se nuk përjashtojnë mundësinë për t’u drejtuar nga kufiri shqiptar, në përpjekje për të shkuar drejt vendeve të Europës Qendrore.

Bashkë me rreth 200 forca policore, që priten të mbërrijnë në orët e ardhshme, në Idomeni po shkojnë gradualisht disa dhjetëra përkthyes, të cilët do të bindin refugjatët të braktisin kampin.

Siç bëjnë me dije burime pranë Ministrisë së Emigracionit, ky operacion do të zgjasë të paktën 10 ditë, ndërsa do të evitohet çdo përdorim dhune nga ana e forcave policore.

“Nuk është një operacion fshesë, që do të boshatisë kampin për një ditë”, ka deklaruar zëdhënësi i shtypit për çështjet e refugjatëve, Georgios Kyritsis.

Sipas tij, në këto momente janë gati 6 kampe në zonën industriale të Selanikut, të cilat i ka zënë me qira qeveria, që mund të mbajnë deri në 7.000 refugjatë, ndërsa mund të ketë edhe sistemime në kampe të tjera në Greqinë Perëndimore, pranë Kozanit dhe Grevenasë.

Ai ka pohuar gjithashtu se, paralelisht do të vazhdojë me ritme më të shpejta edhe procesi i transferimit të emigrantëve që ndohen në Greqi, në vende të ndryshme të Europës.

Top Channel